Që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte, IKMT-ja ka nisur zyrtarisht prishjen e objekteve të Astirit, aksion që degradoi brenda pak minutash në përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë. Nga spitali i traumës, kryedemokrati Lulzim Basha premtoi dëmshpërblim për banorët e prekur nga shembja e shtëpive.
Forcat e para të policisë janë pritur nga banorët me bomba molotov. Përgjatë përleshjes kanë mbetur të dëmtuar afro 15 protestues dhe 5 efektivë të policisë, ndërsa disa protestues të tjerë janë shoqëruar në komisariat. Ndërkohë me zbardhjen e ditës, IKMT-ja ka vazhduar prishjen e banesave dhe bizneseve të prekura nga projekti i unazës së re, të shoqëruar edhe nga kordone të policisë së shtetit, të cilat bllokuan segmentin ku punohej. Të revoltuar nga aksioni i IKMT-së ata vijojnë të mbajnë qëndrimin se projekti i rrugës është korruptim.
Nga bllokimi i rrugës dhjetra persona humbën orarin e punës, ndërsa fëmijët orët e mësimit. Kordoni i policisë nuk lejoi as kalimin e një turisti të huaj si dhe disa qytetarëve që nuk kishin lidhje me protestën e Astirit.
Të pranishëm në mbështetje të banorëve të Unazës së Re ishin edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, teksa nga spitali i traumës Lulzim Basha njoftoi dëmshpërblimin e banorëve në qeverisjen e demokratëve.
Situata e krijuar është ndjekur edhe nga ekipet e avokatit të popullit, i cili rezulton të ketë kërkuar ndryshime ligjore për dëmshpërblimet edhe për objektet e palegalizuara. Shembja e objekteve informale erdhi pas 20 muaj protestë nga banorët që refuzonin të dilnin nga banesa pa u dëmshpërblyer. Sipas një njoftimi të IKMT-së janë 33 objekte për t'u prishur nga të cilat 21 janë të shpronësuara. Nga ana e saj bashkia shprehet se projekti do t'i shërbejë të gjithë qytetarëve dhe jo institucioneve qeverisëse.



