
Peshkimi i vogël artizanal mbetet sektori më pak i rregulluar dhe që kërkon një vëmendje të veçantë, pasi aty praktikohet më së shumti edhe peshkimi i jashtëligjshëm. Por tashmë projektligji i ri i peshkimit që ka hyrë në fuqi, synon që varkat e vogla të administrohen nga organizatat e peshkimit, në mënyrë që të eliminohen format e peshkimit të jashtëligjshëm. Mirëpo sa i ka Ministria e Bujqësisë kapacitetet njerëzore dhe fizike për të garantuar zbatimin? Në një intervistë për Tema TV, zv.ministri i Bujqësisë, Roland Kristo, nuk shpreh optimizëm për zhdukjen totale të paligjshmërisë.
“Mendojmë në të gjithë bregdetin shqiptar, rreth 440 km. Mund të mbash edhe 1000 inspektorë përgjatë gjithë bregdetit dhe nuk arrin dot ta kontrollosh. Natyrisht kërkon edhe burime qoftë financiare, qoftë njerëzore të mëdha për t’u monitoruar. Në këto kushte, duke përfshirë grupet e interesit në menaxhimin e bregdetit, mendojmë se edhe efektiviteti do të jetë më i lartë”, thotë ai.
Pjesë e draftit të miratuar është edhe përfshirja e sistemit të gjurmimit, që u ngrit si shqetësim nga ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, pasi nuk funksiononte. Ky fakt është pranuar edhe nga zv.ministri, i cili pohoi se brenda këtij viti pritet të ngrihet sistemi i ri me financim nga AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).
“Sistemi i Blu Box-it është një sistem që monitoron aktivitetin e anijeve të mëdha të peshkimit, anijeve mbi 12 metra. Punoi për 2 vjet përsa kohë mbahej nga BE-ja, funksionoi, pastaj u degradua si rezultat edhe i mosmirëmbajtjes. Aktualisht jemi në fazën e rindërtimit të një sistemi të ri, i cili do të sjellë edhe ndryshimin e aparaturave. Përsa i përket sistemit Blue Box, këto janë të përfshira në buxhetin e AKSHI-t. Kanë qenë edhe vjet të planifikuara, por për arsye të procedurave të zgjatura të tenderimit nuk u realizua dot në fund të vitit”, shprehet Kristo.
Me sistemin e ri të gjurmimit objektiv kryesor është ndërtimi i aparaturave të kohëve të fundit për të bërë të mundur, deklarimet online të sasisë së peshkut që ndodhet në bordin e anijes. Aktualisht në vend janë më shumë se 187 anije më të mëdha se 12 metra, të cilat do të pajisen me këtë sistem, por vlen të theksohet se varkat e vogla të peshkimit nuk do të pajisen me Blue Box, çka lë hapësirë dhe mundësi për peshkimin e paligjshëm.



