Një operacion i policisë së Lezhës i koduar “Fake test” ka goditur dy raste të kryerjes së testit SARS-Cov-2 jashtë procedurës standarde dhe të lëshimit të dokumentit të rezultatit të testit fals dhe fiktiv.
Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë Kristjana Luka, 25 vjeçe, banuese në Shënkoll, me profesion farmaciste pranë një subjekti privat me objekt veprimtarie farmaci, në Lezhë, si dhe është shpallur në kërkim Aurora Ujka, 35 vjeçe, banuese në Lezhë, administratore e këtij subjekti privat farmaci.
Luka dhe Ujka në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.
Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 persona të ndryshëm.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë Arjan Deda, 49 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se tek biznesi i tij kryente tampon/ testin e SARS-Cov-2, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2.
Gjatë kontrollit të ambientit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 vula, 1 aparat telefonik iPhone, certifikata/teste të shtetasve të ndryshëm me rezultate pozitive e negative, si dhe fotokopje dokumentesh identifikimi të shtetasve të pajisur me këto teste fiktive e të falsifikuara.
Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Lezhës për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.



