
Pas ish-kryeprokuorit Adriatik Llalla, Departamenti i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij. Kështu Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni.
Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik.
Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur. nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.
Në një reagim për "news24" deputeti Doshi thotë se nuk ka qenë në djeni të këtij vendimi të Deparatamentit të Shtetit dhe se u njoh tani nëpërmjet mediave. Doshi deklaron se gjithë kjo punë është a e merr vizën apo se merr.
"Fëmijet e mi janë nënshtetas australianë s’kanë nevojë as për vizë amerikane, as kanë qenë asnjëherë në Amerikë, as gruaja ime as fëmijët e mi. E gjithë kjo punë është a e merr vizën apo se merr.
Kam aplikuar në ambasadë në kohën që kam qenë në hetim, nuk më është thënë që të refuzohet, merr një letër nga prokuroria me kane thene, dihej që isha në hetim. Nuk më është refuzuar me shkrim, apo me vulë.
Unë jam opozitar, s’kam firmosur ndonjëherë, 13 vjet që kam deputet skam qenë ndonjëherë në pushtet.
Me bo korrupsion duhesh me qenë ministër e kryeministër, s’jam marrë asnjëherë me tendera, jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri me kompanitë që kam.
Kjo është puna e atyre që janë marrë me këtë cështje, unë shpirtërisht jam i pastër, kam pasur një shtet kundër, jam arrestuar në mënyrë të paligjshme, as e kam ndërmend të merrem me këtë punë, e ndiej veten të pastër, se ndiej veten si Llalla që merret me korrupsion, pasi të më bëhet zyrtare kam të drejtën time me kërkuar pse", ka thënë Doshi.



