
Shkon në 27 numri i viktimave të tërmetit të djeshëm, si pasojë e të cilit janë lënduar edhe 657 të tjerë. Ndërkohë, në Durrës dhe Thumanë, dy prej zonave më të prekura, vijon lufta me kohën për të nxjerrë nga rrënojat të tjerë.
Kryeministri Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë, gjatë së cilës Rama tha se i ishte dashur pak kohë për reflektim dhe se dje nuk ishte momenti për ta bërë një gjë të tillë.
"Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu sikundër Kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke u nisur nga natyre e problematikës dhe premietri situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve që janë prekur drejtpërdrejt dhe ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t'iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore. Është e zgjatshme në vend, por për një periudhë 30 ditore gjendja e jashtëzakonshme ka disa detyrime për ata që do ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme, që mbase nuk do tu vijë përshtat atyre që e kanë predikuar, duke menduar se ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, ndërkohë që Shqipëria ishte në lot", tha Rama.
Dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës.
Ndërkohë, lëkundjet kanë vijuar gjatë gjithë natës. Sipas IGJEUM, që nga tërmeti i fortë i orës 03:56 deri sot kanë pasuar rreth 310 paslëkundje.
Në kampingun e Thumanës janë ngritur rreth 67 çadra ku janë strehuar 700 banorë dhe po kështu janë ngritur kampe edhe në Durrës, Manëz, Ishëm, Sukth e Katund i Ri, rreth 181 çadra në total, ku janë strehuar rreth 1450 banorë.



