Është bërë publik emri i grabitësit të pestë të ngjarjes së Rinasit. Ai është Admir Murataj, i arratisur nga burgu i Trikallës bashkë me grupin e Ilir Kupës.
Murataj ka grabitur edhe një bankë në Larisa të Greqisë, si edhe është pjesë e grupit të Ilir Kupës, ku dyshohet se ka qenë pjesmarrës në grabitjen e argjendarisë, të ndodhur në një qendër tregtare raporton panorama.
Mësohet se më herët 45-vjeçari ka përdorur mbiemrin Nikaj dhe është me origjinë nga Margegaj i Tropojës.
Ndonëse për momentin është një nga njerëzit më të kërkuar nga policia shqiptare, për të vijojnë kërkimet edhe nga shteti fqinj, Greqia.
Ai u arratis nga burgu i Trikallas bashkë me Klement Çalën, në janar të 2013, pjesëtar të një bande shqiptaro-greke të akuzuar për 9 grabitje dhe tentative grabitje bankash, me shumë totale 2.000.000 euro, mes tyre edhe bankën në Larisa më 16.05.2013, grabitje e faktuar nga gjurmët e gishtave.
Ndërsa Klementi u arrestua në Vlorë, policia greke dyshonte që Admiri fshihej në Kosovë, por gjatë kësaj kohe ai paska qenë në Tiranë, ku ka ndërtuar edhe një vilë, foton e së cilës e shihni më poshtë.
Kjo vilë ndodhet në Fushë Prezë dhe është në pronësi të Admir Murataj. Sipas “balkanweb”, shtëpia ka sistem alarmi dhe kontrollohet nga kamerat në çdo cep të saj.
Mësohet se në tokën ku është ngritur kjo vilë luksoze ka qenë e ndërtuar më herët një banesë e vjetër, e cila është blerë nga Murataj për të ndërtuar vilën, që ka përfunduar në vitin 2015.
Ky i fundit iu ka rrëfyer fqinjëve se e kishte ndërtuar shtëpinë me të ardhurat e siguruara nga emigracioni dhe me ndihmën që i jepnin dy vëllezërirt e tij edhe ata në emigracion, shkruan “BW”.
Fqinjët kanë pohuar se Murataj ka jetuar në këtë banesë në 2015 bashkë me familjen. Në 2016 është larguar dhe vinte vetëm rrallë për të kontrolluar shtëpinë.



