Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar, Kombinati është i njëjti.
Asnjë banesë nuk është rindërtuar, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve vijojnë të qëndrojnë në shtëpi me qira.
Pallatet e dëmtuara të ngjajnë me një qytet fantazmë, duke të risjellë edhe njëherë në kujtesë, ato ditë të zymta që kaloi vendi.
Banorët thonë se asgjë nuk është bërë për banesat e reja, ashtu siç autoritetet vendore dhe qendrore premtuan një vit më parë për rindërtimin e menjëhershëm të tyre.
Tashmë të braktisura, godinat e pallateve në zonën e Kombinatit janë kthyer në rrezik serioz për kalimtarët.
I vetmi funksion që kryejnë këto godina, është vendstrehimi për përdoruesit e lëndëve narkotike.
E ndërsa qeveria po përpiqet ende të sigurojë fonde për rindërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019, qytetarët do të vazhdojnë të presin çelësin e hyrjeve të reja që shpresojnë se do t’u jepet nga bashkia.



