
Akuzat e opozitës për vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, kanë sjellë edhe një përplasje mes shefit të diplomacisë amerikane në Tiranë Donald Lu dhe kreut të qeveresië Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit një ditë më parë, kryeministri Rama tha se nëse do kishte diçka të vërtetë lidhur me akuzat e PD-së për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Xhafaj, do të kishte reaguar ambasadori amerikan Donald Lu.
Por pa kaluar 24 orë nga kjo deklaratë, ka ardhur edhe reagimi i ambasadorit amerikan, duke i kujtuar Ramës se duhet të flasë në emër të tij, dhe jo të të tjerëve.
“Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj”, deklaron Ambasadori Lu, gjatë një prononcimi për "news24".
Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i shefit të qeverisë i cili nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social "Facebook", ka theksuar se është punë e tij të thotë atë që mendon kur flet lidhur me të.
"Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet. Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur mua.", u shpreh Rama.



