
Mijëra punonjës në njësinë e shëndetit publik në Greqi janë pezulluar ditën e djeshme pasi nuk ishin vaksinuar kundër Covid-19 brenda afatit të caktuar nga qeveria.
Sipas të dhënave paraprake nga e mërkura pasdite, ishin lëshuar 5,895 njoftime pezullimi për punonjësit e pavaksinuar të spitalit, duke përjashtuar punonjësit e qendrave shëndetësore dhe shërbimin e ambulancës EKAB, pasi njoftimet për ta ishin ende në proces dorëzimi.
Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se pezullimet pa pagesë do të ndikojnë në rreth 10,000 punonjës të spitaleve publike, qendrave shëndetësore dhe organeve të tjera të ministrisë.
Sidoqoftë, shërbimet kompetente po prisnin një shifër të saktë mbrëmë, pas kontrollimit të të dhënave pasi shumë njerëz nxituan të vaksinoheshin dje.
Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë i thanë ‘Kathimerini’ se departamentet e spitaleve funksionuan pa probleme ditën e djeshme, ndërsa tubimet e protestës nga stafi që u zhvilluan në shumë spitale në të gjithë vendin u përshkruan si në një "nivel të tolerueshëm".
Ndërkohë, Federata Panhelenike e Punonjësve të Spitaleve Publike (POEDIN) njoftoi mobilizime të reja për të enjten kundër vaksinimit të detyrueshëm.
Një apel i veçantë për anulimin dhe pezullimin e ligjit të paraqitur nga POEDIN do të diskutohet nga seanca plenare e gjykatës më 8 tetor.



