Në vijim të fushatës sensibilizuese me administratorët e bizneseve dhe personat fizikë, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, Policia e Lezhës ka nisur zbatimin e Planit të Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë zhvilluar gjatë ditëve të fundit kontrolle të vazhdueshme në terren, të bazuara në hartëzimin e zonave me ndotje akustike.
Gjatë kontrolleve janë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, si dhe në subjekte të ndryshme në zonën turistike të Shëngjinit, me qëllim verifikimin e respektimit të kufijve të lejuar sipas legjislacionit në fuqi për administrimin e zhurmës në mjedis.
Sipas Policisë, të gjitha matjet e kryera, në përputhje me procedurat standarde, kanë rezultuar brenda normave të lejuara.
Paralelisht, efektivët kanë kontrolluar edhe respektimin e orarit të lejuar për transmetimin e muzikës në ambiente të hapura, në zonat dhe qendrat e banuara, i cili është i përcaktuar nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Lezhës bën të ditur se kontrollet dhe monitorimi do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me synimin për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe pushuesit.
Njëkohësisht, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave, duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave në përputhje me ligjin.



