Sakollari: Taksimi i pagave të larta po largon trurin e Shqipërisë. Zepishta: Shqipëria ka sistemin më të vështirë fiskal në rajon (VIDEO)

Sakollari: Taksimi i pagave të larta po largon trurin e Shqipërisë. Zepishta: Shqipëria ka sistemin më të vështirë fiskal në rajon (VIDEO)

Kanë kaluar më shumë se 10 vite që nga viti 2014, kur qeveria e majtë zëvendësoi taksën e sheshtë me taksimin progresiv të të ardhurave personale, një reformë që në atë kohë u shoqërua me debate të forta politike dhe ekonomike.  Edhe sot, diskutimi mbetet i hapur, me ekonomistë dhe ekspertë fiskalë që vijojnë të ndahen mes mbështetjes për taksimin progresiv dhe rikthimit te një sistem i thjeshtë taksimi.

 

Për të bërë një bilanc të efekteve të kësaj politike mbi ekonominë, biznesin dhe të ardhurat e qytetarëve, në MCN Economy  profesorja e ekonomisë, Valbona Sakollari theksoi se debati mbi sistemin e taksimit nuk është bardh e zi, pasi secila qasje ka argumentet e veta.  Sipas saj, politika fiskale duhet të ndërtohet duke vlerësuar jo vetëm efektet afatshkurtra, por edhe ndikimin afatgjatë në sjelljen e individëve dhe të ekonomisë.

 

Diskutimi mbi taksimin nuk është i thjeshtë. Secili ka argumentet e veta. E vetmja pikë ku mund të biem dakord është shprehja se arti i taksimit është të rripet pata e gjallë me sa më pak kakarisje. Thelbi i një politike fiskale duhet të jetë ndikimi që ajo ka në afatgjatë dhe mënyra se si ndryshon sjelljen jo vetëm të grupit ku aplikohet, por të gjithë aktorëve të ekonomisë. Unë jam për një sistem të thjeshtë taksimi, sepse ka më pak kosto për qytetarët dhe biznesin. Një sistem i ndërlikuar sjell jo vetëm barrë fiskale, por edhe barrë administrative dhe humbje neto për ekonominë. Modele të tilla janë zbatuar me sukses në Estoni dhe më pas edhe në vende të tjera si Lituania apo Rusia në një periudhë të caktuar.

 

Sakollari vuri në pikëpyetje efektivitetin e taksimit progresiv në Shqipëri, duke argumentuar se rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin.

 

Nëse kjo politikë do të kishte qenë vërtet frytdhënëse, sot do të kishim një zgjerim ose të paktën një stabilitet të numrit të personave që paguhen me paga të larta. Por të dhënat tregojnë se është tkurrur ndjeshëm fasha e punonjësve me paga mbi 120 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë se është reduktuar numri i njerëzve që paguhen mirë. Përgatitja e politikave fiskale shpesh ndikohet nga lobizmi dhe interesat e grupeve të ndryshme. Kur ke një sistem të thjeshtë taksimi është shumë më e vështirë të aplikosh lehtësira fiskale të fshehura. Ndërkohë në Shqipëri lehtësirat fiskale kanë arritur në rreth 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nga ana tjetër, taksimi më i lartë i pagave krijon stimuj për evazion fiskal. Ata që preken janë profesionistët më të kualifikuar, si mjekët apo inxhinierët. Në këtë kuptim, taksimi i pagave të larta po largon trurin e Shqipërisë.

 

Nga ana tjetër, eksperti kontabël Igli Zepishta argumentoi se modeli i zbatuar në Shqipëri nuk mund të konsiderohet një taksim progresiv i mirëfilltë, pasi është aplikuar vetëm mbi pagat, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave dhe bizneset kanë vijuar të trajtohen me logjikë të ndryshme.

 

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste u ndryshua mënyra e tatimit të pagave, por deri vitin e kaluar vetëm pagat janë taksuar me sistem progresiv. Bizneset nuk kanë pasur të njëjtin trajtim. Pra, nuk kemi pasur një taksim progresiv të plotë, por një sistem të përzier me elementë të taksës së sheshtë. Personalisht jam për një sistem të thjeshtë taksimi për aq kohë sa Shqipëria është në këtë nivel zhvillimi ekonomik.

 

Megjithatë, ai pranoi se në të ardhmen mund të diskutohet një model i kombinuar, por vetëm nëse zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha burimet e të ardhurave.

 

Shtresa e mesme po zvogëlohet gradualisht në Shqipëri dhe ndoshta ka ardhur momenti për të diskutuar një përzierje të sistemeve. Por lind pyetja: pse duhet të tatohet vetëm paga? Nëse zgjedhim taksën e sheshtë, duhet të zgjerojmë bazën e tatimpaguesve dhe të kemi një administrim më efikas nga administrata tatimore. Nëse zgjedhim taksimin progresiv, atëherë ai duhet të shtrihet edhe mbi kapitalin dhe aktivitetet e tjera ekonomike, jo vetëm mbi pagëmarrësit.”

Sipas Zepishtës, niveli aktual i administrimit fiskal nuk e mbështet një sistem kompleks taksimi, ndërsa Shqipëria mbetet më pak konkurruese se vendet e rajonit.

 

Për nivelin ku ndodhet ekonomia shqiptare dhe administrata tatimore, alternativa më e mirë do të ishte një taksë e sheshtë. Kosova ka një administratë fiskale shumë më të thjeshtë dhe norma më të ulëta tatimore, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa Shqipëria ka sistemin më të ndërlikuar fiskal në rajon, për të mos thënë edhe më gjerë. Qeveria fokusohet kryesisht te mbledhja e të ardhurave, ndërsa një nga parimet bazë të tatimeve duhet të jetë barazia në trajtimin e çdo aktiviteti ekonomik.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy