Analisti Mustafa Nano komentoi në studion e lajmeve të TvT vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Tiranë dhe “përplasjen” me Ramën për Minishengenin Ballkanik. Nano tha se Rama ndihet i sfiduar në përpjekjen e tij për ta portretizuar veten si babai i kombit.
“Minishengeni është një arsye, por më e rëndëishmja është se për herë të parë ne kemi në Kosovë një kryeministër që Tiranën nuk e sheh si vendin amë. Por si një vend me të cilin duhet të ndërtojë marrëdhënie. Ka një marrëdhënie të vështirë, edhe për shkak të natyrave që kanë. Rama ka luajtur rolin e babait të kombit, tani ka ardhur Kurti që përpiqet ta luajë këtë rol. Ai duket sikur thotë se nuk jam thjesht kryeministri i Kosovës, jam shumë më tepër”, tha Nano.
Në lidhje me qëndrimet e kundërta të dy kryeministrave shqiptarë për Minishengenin, Nano tha se investimi i fortë i ndërkombëtarëve në këtë ide do të prodhojë rezultate që mund ta bëjnë Kurtin të tërhiqet.
“Kurti mendon që Minishengeni është një lojë serbe. Shpresa e Ramës është që Minishengeni të bëhet realitet dhe partnerët të urdhërojnë Kurtin t’i bashkohet këtij treni. Duhet parë se çfarë avantazhesh ka kjo punë. Edhe taksa u përshëndet. Kurti do bëjë një hap të arsyeshëm. Rama duhej të konsultohej me Kosovën. Nuk është nisma e Ramës, e ka burimin në Europë. Në këtë kuptim, Rama nuk tërhiqet dot mbrapsht”, tha ai.
I pyetur për vizitën e ministrit të Jashtëm turk dy ditë më parë në Tiranë dhe deklaratën e tij për gylenistët, Nano tha se kjo është thjesht një gjueti shtrigash nga ana e Turqisë.
“Qëndrimi im është i njëjtë me qeverinë. Ne kemi ndjekur politikën amerikane dhe atë perëndimore lidhur me gylenistët. I kanë thënë stop administratës turke. Është një gjueti shtrigash. Po të isha turk do të isha kundër Erdoganit”, tha ai.
Megjithatë, Nano shtoi se Shqipërisë si vend i vogël, i gjetur shpesh në raporte konfliktuale me fqinjët, i intereson marrëdhënia me Turqinë.
“Mendoj se shpeshherë real politika nuk është gjë tjetër veçse ndërtimi i marrëdhënieve të vasalitetit. Janë të tilla për të mirën e kombit shqiptar, edhe kur ne ndjekim verbtazi Uashingtonin ose vende të tjera. Me Turqinë është e njëjta gjë. Ne jemi vend i vogël me marrëdhënie shpesh armiqësie me fqinjët. Do të ishte luks të na shkonte mendja të prishim marrëdhënien me Turqinë. Nuk kemi ndonjë rol të madh për të luajtur në këtë mes. Një kryeministër shqiptar në këtë diskutim është i mirë jo kur u thotë turqve stop, por kur këto marrëdhënie t’i bëjë sa më pak marrëdhënie vasaliteti”, tha ai.



