Partia Demokratike mbledh ditën e mërkurë Kryesinë, për të diskutuar strategjinë e nisjes së protestave. Kjo pasi opozitarët janë të bindur se përballë qeverisë Rama, duhet përballje me protesta. Burime për gazetarin e MCN, Mariglen Kume, thanë se një nga kërkesat kryesore të opozitës, pritet të jetë Qeveria Teknike, e cila çon vendin në zgjedhje.

Ideja e nisjes së protestave u hodh edhe këtë të hënë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së.

Pas Kryesisë, ditën e premte mblidhet edhe Këshilli Kombëtar, po me këtë fokus, nisjen e stinës së protestave të vjeshtës.

Sipas burimeve në PD, mbetet vetëm të përcaktohet forma dhe mbajtja e protestave. Idetë janë të ndryshme, për mënyrën sesi do të mbahen ato, që nga protestat e vazhdueshme përpara Kryeministrisë, mbajtja e protestave nëpër rrethe, bllokimi i rrugëve etj.

Të gjitha këto ide pritet të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë së PD-së dhe Këshillit Kombëtar e më pas, pritet të nisë aksioni i opozitës, 8 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Një tjetër çështje e rëndësishme, e cila pritet gjithashtu të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, është edhe diskutimi për Drejtuesit Politik të PD-së në 12 qarqet e vendit.

Tirana pritet të ketë 8 drejtues politikë. Emrat janë ende në diskutim.

Ndërsa burimet thonë se 11 drejtuesit në 11 qarqeve të tjera, tashmë janë të përcaktuar.

LISTA E DREJTUESVE POLITIKË PD

1. Shkodër- Luçiano Boçi

2. Lezhë - Agron Gjekmarkaj

3. Dibër - Xhelal Mziu

4. Kukës - Flamur Hoxha

5. Durrës - Oerd Bylykbashi

6. Elbasan - Ervin Salianji

7. Fier - Gazment Bardhi

8. Korçë - Ivi Kaso

9. Berat - Eno Bozdo

10. Vlorë - Bujar Leskaj

11. Gjirokastër - Tritan Shehu