Takimi mes Donald Trump dhe Lulzim Bashës nuk është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, por në Wisconsin, ku presidenti amerikan ishte bashkë me të bijën, Ivanka. Presidenti amerikan është interesuar mbi politikat e punësimit të studentëve në shkollat profesionale, vizita në disa fabrika dhe gjatë pasdites, një takim për mbledhjen e fondeve për governatorin Scott Walker.
Pikërisht në pritjen e organizuar për mbledhjen e fondeve, Presidenti Trump është takuar me Lulzim Bashën. Aty është bërë edhe foto që u shpërnda për mediat nga Partia Demokratike, shkruan GSH.
Në të njëjtën mënyrë, Edi Rama arriti të ketë një foto me Barak Obamën, kur drejtonte Partinë Socialiste në opozitë. Por për foton që bëri Edi Rama në SHBA nisën hetimet. U zbulua se infiltrimi i Edi Ramës në një pritje të ngjashme të organizuar nga demokratët, ishte bërë në mënyrë të paligjshme. Ligji amerikan e ndalon financimin e fushatës nga të huajt. Në rastin e Edi Ramës “financimi” kishte të bënte me pagesën për biletën e pritjes.



