Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal të ri të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.
Dyshohet se vlera të mëdha monetare, që rrjedhin nga tenderat e manipuluar të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), janë transferuar jashtë vendit. Sipas dosjes hetimore, pikënisja ka qenë zbulimi i disa transaksioneve të dyshimta të kryera nga kompani të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi.
Lidhur me këto zhvillime, juristi Romeo Kara në MCN Live, ka vënë theksin te natyra e vërtetë e marrëdhënies mes personave të përfshirë dhe interesave të mëdha financiare që fshihen pas tyre.
Duke vlerësuar qasjen e re të organeve të drejtësisë Kara bëri thirrje që Prokuroria e Posaçme të ndjekë me vendosmëri maksimale këtë çështje, duke kërkuar që procesi të mos mbetet thjesht një procedurë formale, por të evidentohet qartë rreziku dhe dëmi që i është shkaktuar sigurisë kombëtare.
Nuk është thjeshtë një dashuri mes dy personave Agasi-Hyseni, por është çështje parash dhe ja ku doli. Këtu është çështje interesash dhe pse e trajtuam në fillim si aferë dashurie. Por nuk qenka kaq e thjeshtë, sepse qenka e përzierë edhe me ortakët e Ergys Agasit dhe për transaksionet, ku ka privat sot që të nis paratë për të bërë projektin kesh (cash) dhe akoma s'ka ardhur projekti?! Pastaj projekti s'ka ngelur për studiot në Gjermani.
Kemi sot një mësim të mirë që i jep GJKKO dhe drejtuesve të SPAK lidhur dhe me dosjen '5D', ku tre prokurorë kanë kërkuar të hetohet edhe për veprat e korrupsionit e të pastrimit të parave, apo korrupsionit pasiv. Sepse jemi mësuar t'i shohim gjithë këta njerëz për shpërdorim detyre, por këtu kemi dhe pastrim parash. Vlora Hyseni ka kryer për mua as më shumë e as më pak korrupsion me pasoja të mëdha, sepse kjo është tradhti e pastër, kjo është një tradhti e madhe ndaj vendit, duke parë që Ergys Agasi paska qenë de facto një lloj shefi i SHISH. Vlora Hyseni ka kryer tradhti të pastër ndaj vendit.
Tani duhet parë mirë deri ku ka shkuar kjo punë, por dëmi kryesor është se personi që duhet të na siguronte sigurinë, sot është e akuzuar për këto vepra penale. Unë po kërkoj të konstatohen reale, SPAK të mos shkojë për të larë gojën, por të thotë cilat janë veprat penale për të cilat konstatoj se do rëndohen. SPAK duhet të konstatojë plotësisht veprat penale të Vlora Hysenit.



