
Pas takimit me kreun e qeverisë maqedonase Zoran Zaev, sekretari i Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Mattis ka zhvilluar edhe një takim me presidentin Gjorge Ivanov.
"Në takim, ata shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, perspektivat euroatlantike të vendit dhe bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Presidenti maqedonas theksoi se anëtarësimi në NATO dhe BE mbeten synime strategjike dhe prioritet i lartë i Republikës së Maqedonisë, e cila do të kontribuojë në përparimin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit", thuhet në njoftimin e presidencës maqedonase.
Gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan, Presidenti Ivanov theksoi se Republika e Maqedonisë mbetet një partner strategjik i qëndrueshëm i Shteteve të Bashkuara dhe se do të vazhdojë të luftojë për sigurinë, lirinë dhe përparimin demokratik të rajonit dhe do të kontribuojë aktivisht në aktivitetet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera në nivel global .
"Edhe pse ne nuk jemi në NATO, ushtria jonë është e pajtueshme me NATO-n dhe ne jemi mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për këtë, është investimi ynë në të ardhmen. Ne duhet të jemi të përgatitur për kërcënime të reja dhe sfida të reja ", tha presidenti Ivanov.



