
Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë kanë reaguar për rikonstruksionin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” që ka çuar në shembjen e fasadës së saj.
Sipas Unionit, ndërtesa është historike dhe i përket periudhës së modernizimit të kryeqytetit. Unioni bën thirrje që të garantohet që në fazat e prokurimeve publike që ndërhyrje të tilla restauruese të kenë kulturën e duhur.
“Unioni i Arkitekteve, Urbanisteve dhe Planifikuesve të Shqipërisë, shprehin keqardhjen e madhe dhe protestën e tyre të vazhduar për mënyrën aspak profesionale dhe të përsëritur se si po kryhet ndërhyrja e rikonstruksionit në ndërtesën e radhës historike të Tiranës, maternitetit historik “Mbretëresha Geraldinë”.
Kjo ndërtesë historike, ashtu si Parku, Stadiumi, Teatri dhe shumë vila të viteve 20/30të – përfshihet në fondin e objekteve me status special dhe/ose monument kulture, dhe i përkasin një periudhe mjaft interesante të modernizimit të kryeqytetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu ai kritikon heshtjen e institucioneve shtetërore që janë kompetente për mbrojtjen e trashëgimisë.
"Autoritet duhet të garantojnë që në fazat e prokurimeve publike që projektimi dhe zbatimi i punimeve të tilla ka ekspertizën dhe kulturën e duhur për ndërhyrje të tilla me karakter thellësisht restaurues, dhe jo të bëhen promotorë të kësaj kulture pune qoftë përmes heshtjes dhe neglizhencës. Aq më tepër që gjithshka ndodh natën, pa transparencë dhe në kushtet e pandemisë".



