
Puthja e një foshnjeje mund të duket si një gjest dashurie dhe afeksioni, por në të vërtetë ajo mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin e të porsalindurve.
Sistemi imunitar i tyre është ende i papjekur dhe nuk është gati për të përballuar viruset apo bakteret që transmetohen përmes kontaktit të ngushtë fizik, siç është puthja, vlerësojnë të ftuarat e emisionit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”.
Tre paneliste, Razije Musa (mami), Anora Kroj (psikologe) dhe Ledina Gjoka (nënë e dy fëmijëve), ndanë këshilla dhe shqetësime rreth rrezikut që paraqet puthja e foshnjave në fytyrë, buzë apo duar.
Razije Musa (mami):
Puthja te fëmijët është shumë e ëmbël, por mbart disa rreziqe serioze.
Prindërit presin 9 muaj për ta mbajtur fëmijën në krahë dhe është e kuptueshme dëshira për ta puthur, por duhet treguar kujdes.
Çdo virus që ndodhet te një i rritur, mund të transmetohet përmes pështymës ose puthjes. Nëse dikush ka grip, virozë apo ndonjë infeksion tjetër dhe e puth beben në faqe ose në buzë, rreziku që fëmija të preket është shumë i madh.
Bebi lind me një imunitet të dobët, dhe duhet mbrojtur nga çdo infeksion i panevojshëm.
Ka shumë mënyra për të shprehur dashurinë pa e rrezikuar beben: mund ta përkëdhelësh në këmbë, ta mbështjellësh ngrohtë, ta ledhatosh mbi rroba.
Por kurrë mos e puthni në duar, bebet i fusin duart në gojë dhe kjo është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të marrë mikrobet.”
Anora Kroj (psikologe):
Marrëdhënia prind-fëmijë ndërtohet mbi dashuri, por kjo dashuri nuk duhet të shprehet me kontakt të papërshtatshëm fizik, si puthja në buzë.
Buzët janë një zonë intime dhe kjo gjë duhet kuptuar dhe trajtuar që në fazat e para të edukimit të fëmijës.
Është e domosdoshme që prindërit të pajisen me njohuri, qoftë nga ana mjekësore, qoftë nga ajo psikologjike, që në momentin që bëhen me fëmijë.
Edukimi i hershëm ndihmon në krijimin e një lidhjeje të shëndetshme me fëmijën dhe vendos kufijtë e nevojshëm që respektojnë integritetin e tij.
Duhet të edukohet edhe rrethi familjar, sidomos gjyshërit, të cilët shpesh, nga dashuria e tepërt, kalojnë kufijtë e nevojshëm për mbrojtjen e fëmijës.
Ledina Gjoka (nënë):
Jam kundër puthjes së fëmijëve në buzë. Përveç faktit që kjo gjë rrezikon shëndetin e tyre, prek edhe kufijtë personalë fizikë.
Edhe pse mund të duket një akt i pafajshëm, në thelb është një lloj egoizmi i të rriturit.
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm si prindër dhe të mendojmë për pasojat. Duhet të ndërgjegjësohemi që dashuria dhe afeksioni nuk shprehen vetëm me puthje.
Sipas panelisteve, dashuria ndaj një foshnjeje nuk duhet të rrezikojë shëndetin e tij.
Edukimi, ndërgjegjësimi dhe respektimi i kufijve janë çelës për të rritur fëmijë të shëndetshëm, fizikisht dhe emocionalisht.



