Presidenti rus dëshiron që numri i ushtarëve rusë të rritet me 10%.
Vladimir Putin nënshkroi një dekret këtë të enjte duke urdhëruar një rritje me 10% të numrit të ushtarëve në ushtri, në mes të një ofensive kundër Ukrainës dhe në një sfond të tensioneve në rritje me vendet perëndimore.
Ushtria do të duhet të ketë dy milionë anëtarë, kundrejt 1.9 milionëve,, sipas këtij dekreti të publikuar nga qeveria dhe që hyn në fuqi më 1 janarin e vitit të ardhshëm.
Konkretisht, pa llogaritur personelin civil, kjo paraqet një rritje prej 137,000 ushtarësh, ose më shumë se një e dhjeta e forcës aktuale luftarake.
Kjo masë, arsyet e së cilës nuk shpjegohen në dekret, vjen pasi ushtria ruse prej më shumë se gjashtë muajsh po kryen një ofensivë në Ukrainë, e cila është shumë e kushtueshme në burime njerëzore dhe materiale. Pas dështimit për të marrë Kievin në fillim të ndërhyrjes, forcat e Moskës tani po përqendrojnë përpjekjet e tyre në Ukrainën lindore dhe jugore, ku frontet kanë lëvizur pak në javët e fundit.
Rritja e numrit të ushtarëve rusë vjen gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe vendeve perëndimore po kalojnë një krizë të përmasave të paprecedentë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.



