Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka dorëzuar Nigerisë 22 artefakte të grabitura në shekullin e 19-të në një ceremoni në kryeqytetin, Abuja. Kthimi i këtij grupi të Bronzeve të Beninit pason një marrëveshje të bërë në fillim të këtij viti për të transferuar pronësinë e më shumë se 1000 prej këtyre objekteve të çmuara.
Në korrik, Nigeria tha se ishte hera e parë që një vend evropian kishte hyrë në këtë lloj marrëveshjeje. Zonja Baerbock tha se ishte pjesë e përpjekjeve për t'u marrë me një "histori të errët koloniale" .
Duke folur në Abuja të martën, ajo shtoi se ishte një mundësi për të korrigjuar disa nga gabimet e së kaluarës.
“Zyrtarët nga vendi im dikur i blenë bronzët, duke e ditur se ishin grabitur dhe vjedhur. Pas kësaj, ne e shpërfillëm lutjen e Nigerisë për t'i kthyer ato për një kohë shumë të gjatë. Ishte gabim t'i merrte dhe ishte gabim t'i mbante," citohet të ketë thënë zonja Baerbock nga transmetuesi gjerman DW.

Ndër objektet e kthyera ishin disa nga kokat e famshme ceremoniale, një gdhendje në fildish, si dhe një pllakë e zbukuruar. Lëvizjet për kthimin e artefakteve të vjedhura në epokën koloniale kanë marrë vrull vitet e fundit, ndërsa vendet dhe muzetë evropiane ndeshen me mënyrën se si ato erdhën në zotërim të tyre.
Ministri i Informacionit i Nigerisë Lai Mohammed tha në ceremoninë e dorëzimit se qëndrimet kanë ndryshuar shpejt, përcjell DW.
Termi Bronzët e Beninit i referohet mijëra skulpturave metalike, pllakave dhe gdhendjeve të bëra midis shekujve 15 dhe 19 dhe të grabitura nga trupat britanike në 1897 nga mbretëria e Afrikës Perëndimore të Beninit, në shtetin e sotëm Edo të Nigerisë.



