
Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord për të punuar për uljen e tensioneve në detin Egje. Mediat e të dyja vendeve fqinje flasin me tone pozitive për takimin mes kryeministrit Alexis Tispras dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në samitin e NATO-s në Bruksel në 12 korrik, duke u përqendruar te mesazhet e të dy politikanëve për nevojën e qetësimit në Mesdheun Lindor.
"I vura në dukje presidentit turk rritjen e incidenteve dhe shkeljeve nga ana turke në Egje dhe ne më në fund ramë dakord që të shtojmë përpjekjet për të ulur tensionet", tha kryeministri grek, Tsipras, në konferencën për shtyp në kryeqytetin belg.
Përveç çështjeve që kanë të bëjnë me ishujt e Dodekandezit dhe situatën në Qipro, të dyja vendet janë përfshirë në përplasje edhe si pasojë e ndalimit të 10 ushtarëve, konkretisht dy ushtarëve grekë të kapur nga Turqia dhe 8 ushtarëve turq që kanë kërkuar azil në Greqi pas grushtit të shtetit në Turqi.
Lidhur me këtë të fundit, kryeministri grek ka refuzuar që ta trajtojë çështjen si një të tërë, për arsye sepse sipas tij, ndalimi i ushtarëve grekë ishte arbitrar dhe për shkak të incidenteve kufitare, ndërkohë që tetë ushtaratët turq, pjesë e organizatës Fronti Çlirimtar Revolucionar Popullor, hynë në territorin grek me vullnetin e tyre. Tsipras ka mbështetjen edhe të opozitës së djathtë greke për këtë temë.
Në një intervistë për TV SKAI, ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, u shpreh se Greqia duhet të kthejë në Turqi tetë ushtarët në fjalë, por ka refuzuar të pranojë se çështja e tyre duhet trajtuar në raport me ndalimin e dy ushtarëve grekë nga pala turke. Nuk është ende e qartë se çfarë mund të sjellë në praktikë takimi Tsipras-Erdogan në kushtet kur Turqia ka pretendime kufitare strategjike në Egje, ajo i kundërvihet dhe kërcënon kërkimin e gazit dhe naftës në det nga Greqia dhe ka kërkuar madje edhe rishikimin e Traktatit të Lozanës të vitit 1923.



