
Bledona Aga ishte e ftuar në studion e “Zgjohu me MCN”, ku rrëfeu historinë emocionuese të ribashkimit me motrën Sarën, pas 9 vitesh ndarjeje në gurbet.
Ajo tregoi se gjithmonë kanë pasur një lidhje të veçantë me njëra-tjetrën dhe se momenti i takimit ishte tejet prekës për të dyja, sidomos tani që të dyjat ishin bërë nëna dhe vajzat e tyre u takuan për herë të parë njëkohsisht.
Jam takuar me motrën pas 9 vitesh. Kur e mendon të shtang, por kur e përjeton kupton sa shumë kohë ka kaluar.
Ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë. U rritëm thuajse si binjake, me vetëm një vit diferencë.
U ndamë kur ishim 18 vjeç, kur ajo u martua dhe u largua në Londër.
Distanca e gjatë e mostakimit erdhi kryesisht për shkak të vështirësive me dokumentet dhe vizat.
Motra shkoi me vizë dhe i mbaroi afati i kthimit. Pritëm që të aplikonte sërish, por nuk i dilte vizë.
Në fund, vendosa të shkoja unë. Edhe mami dhe babi e takuan pas 6-7 vitesh, ndërsa motra jonë më e vogël e mori vizën më herët dhe shkoi para meje.
Video-thirrjet ishin e vetmja mënyrë për të mbajtur lidhjen gjallë. Video-call është një mrekulli e kohës. Të duket sikur koha nuk ka kaluar, edhe pse në realitet kanë ikur vite.
Por asgjë nuk e zëvendësoi emocionin e takimit në aeroport.
Ishte momenti më i lumtur i jetës sime. Përqafimi zgjati dhjetë minuta pa ndërprerje.
Të gjithë na shihnin. Isha në gjendje shoku, nuk po e besoja që po e takoja me të vërtetë.
Gjatë këtij ribashkimi, emocionet u shtuan edhe më shumë kur vajzat tona u takuan për herë të parë. Ishte shumë mallëngjyese. Një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë.



