Të tjera detaje kanë dalë për ngjarjen e ndodhur në një shkollë në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit janë helmuar disa nxënës. Sipas burimeve dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, probleme me shëndetin kanë shfaqur më shumë se katër nxënës.
Nxënësit e kësaj shkolle kanë treguar në media se era e keqe është ndjerë që në orën e parë të mësimit, ndërsa aty kanë qëndruar për rreth 3 orë mësimi. Disa prej tyre kanë nisur të vjellin në ambientet e shkollës dhe se disa kanë shfaqur gjendje të fikti. Sipas tyre, gazi ka rrjedhur nga kaldaja që përdorej për ngrohjen e klasave dhe se në shkollë janë nxënës të të gjitha moshave, përfshirë dhe ata të kopshtit.
“Kaldajave u plasi gazi. Filluam që të ndjenim erën e keqe që në orën e parë të mësimit, më pas qëndruam dhe tre orë të tjera me dritare hapur, aq sa disa prej shokëve dhe shoqeve nisën të villnin”, kanë thënë disa nga nxënësit e shkollës.
Nxënësit që kanë shfaqur probleme shëndetësore janë transportuar menjëherë për në spitalin, ku po marrin edhe ndihmën mjekësore. Në lidhje me parapraken e dhënë në lidhje me rrjedhjen e gazit në ambientet e jashtme të shkollës Jo-Publike, në rrugën ‘Don Bosko’, ju informojmë se në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore edhe 2 nxënës të tjerë. Gjithsej 6 nxënës të dërguar në spital, të gjithë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi sërish policia.
Ndërkohë, burime nga bluzat e bardha bëjnë të ditur se pranë Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme janë paraqitur me ambulancë 3 pacientë të ekspozuar nga gaze, të moshës rreth 15 vjeç. Ndërsa tre pacientë të moshës 12-14 vjeç intosikuar janë paraqitur me ambulancë pranë Urgjencës Pediatrike.
Mjeku toksikolog ka kryer konsultën mjekësore dhe ka konstatuar që janë koshientë, paraqesin simptoma të lehta të intoksikacionit si dhimbje koke, të përziera dhe pak ankth. Pacientët janë me paramentra stabël, jashtë rrezikut për jetën dhe janë shtruar në pavion për monitorim.



