Stephen Paddock, autori i masakrës së Las Vegasit kishte ndërtuar një plan të qartë arratie, që do ta zbatonte pas ekzekutimit të dhjetëra personave që po ndiqnin një koncert të muzikës country. Në vend të arratisë, ai la një shënim dhe më pas vrau veten. Këto janë të rejat që dolën nga hetimet për ngjarjen tragjike të 2 Tetorit.
Sipas mediave amerikane, masakra e Las Vegasit mund të ishte paraprirë nga një tjetër gjakderdhje, ndoshta edhe më e madhe. Këtë herë shënjestra do të ishte Çikago, ku mostra 64-vjeçare, 2 muaj më parë kishte prenotuar 2 dhoma hoteli me pamje nga një koncert i madh rroku, ku ishin të pranishëm 400 mijë persona. Në fund, Paddock nuk u paraqit në hotel, duke shtyrë kështu marrëzinë e tij.
Autoritetet thonë se 64-vjeçari kishte një jetë sekrete, e cila mbeti e tillë edhe disa ditë pas vrasjes së 59 personave dhe plagosjes së mbi 500 të tjerëve. Brenda suitës u gjetën 50 kilogramë eksploziv, ndërsa në makinën e vrasësit policia zbuloi 1,600 municione.
Janë të paktën 100 hetues, të cilët po gërmojnë detajet e jetës së tij për të gjetur arsyet e krimit monstruoz, si dhe për të kuptuar nëse Paddock ka pasur bashkëpuntor.



