Platforma e njohur e videove “YouTube”, e cila hapi rrugën për “Netflix” dhe “Spotify”, mbush 15 vjeç. Kompania u themelua më 14 shkurt të vitit 2005 nga tre ish-punonjës të PayPal (Chad Hurley, Steve Chen dhe Jawed Karim) dhe u ble më vonë nga “Google” në tetor të vitit 2006 për 1.65 miliardë dollarë.
Videoja e parë e ngarkuar daton në 23 Prill 2005 dhe titullohet “Unë në kopshtin zoologjik" (Me at the zoo) dhe u xhirua para kafazit të elefantëve të Kopshtit Zoologjik të San Diegos nga një prej themeluesve.
Platforma është bërë një media e vërtetë globale që garon me TV, duke sjellë veç të tjerash edhe profesione të reja që lidhen me rrjetin (YouTubers) dhe fenomene e karaktere që janë bërë virale. Përpos vizionit të ri, platforma lindi edhe problematika të reja, si polemikat për përhapjen e lajmeve të rreme, për shkeljen e privatësisë së fëmijëve.
Tremujorin e fundit, për herë të parë “Google” komunikoi në detaje rezultatet e “YouTube”: të ardhurat në vitin 2019 arritën në 15.15 miliardë dollarë, pothuajse dyfishi i 8.15 miliardë të vitit 2017.



