
Një burrë i veshur si Joker ka sulmuar me thikë pasagjerët në një tren udhëtarësh në Tokio dhe ka ndezur dhe zjarr.
Si pasojë e sulmit disa pasagjerë janë plagosur, ndërkohë që shumë të tjerë për ti shpëtuar sulmit kanë vrapuar nëpër vagonë dhe duke u ngjitur nëpër dritare.
Departamenti i Zjarrfikësve të Tokios tha se 17 pasagjerë u plagosën dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Autori i sulmit i identifikuar si Kyota Hattori 24 vjeç është arrestuar dhe po hetohet për “tentativë vrasje” nga departamenti i policisë së Tokios.
Policia tha se autori i cili ndodhej në një tren ekspres drejt stacionit Shinjuku të Tokios, mori papritmas një thikë dhe goditi në gjoks një pasagjer të ulur, një burrë rreth të 70-tave.
Dëshmitarët i thanë policisë se autori kishte veshur një veshje të ndritshme, një këmishë jeshile, një kostum blu dhe një pallto vjollcë si Joker.



