
Zëvendëskryetari i KRIIK, Dritan Taulla, deklaron se me reformën që u bë në 2020 politika pretendoi se e kishte plotësuar kuadrin ligjor dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatonte votën për emigrantët.
Në një lidhje për MCN Live, ai tha se kuadri ligjor nuk mundëson votën e emigrantëve dhe se dispozitat ishin shumë të pakta dhe linin bosh një pjesë të konsiderueshme se si do të llogaritej vota e emigrantëve.
Sipas tij, që në atë moment u duk se kishte një mungesë vullneti të politikës shqiptare që të zbatohej në mënyrën e duhur.
Ka kaluar një muaj e gjysmë nga afati fundit që Gjykata Kushtetuese i kishte vendosur parlamentit dhe duket se pak vullnet ka për tu bërë.
Nuk duket të ketë në vullnet të mirëfilltë nga politika në mënyrë që emigrantët të votojnë dhe përfaqësohen denjësisht në parlamentin shqiptar.
Për momentin nuk ka një formulë, kuadri ligjor aktual vetëm jep të drejtën e votës së emigrantëve dhe vetëm kaq.
Çështjet që kanë nevojë të sqarohen janë të shumta. Ne nuk e dimë me saktësi se sa emigrantë votojnë ku dhe sa emigrantë duhet të votojë për një deputet.
Shteti shqiptar duhet të krijojë zona zgjedhore për emigrantët. Thelbi është që emigrantët të kenë deputetë të drejtpërdrejtë, të zgjedhur prej tyre.
Mbetet për tu përcaktuar nëse do llogaritet një zonë zgjedhore, apo që emigrantët të kenë deputetët e vetë, të kenë zonat e veta zgjedhore.
Duket se ka një hezitim të emigrantëve shqiptar për të dhënë të dhënat e veta shtetit shqiptar.
Mund të votohet edhe pa u regjistruar paraprakisht, mjafton që të votojë me një mjet identifikimi.
Lind dhe pikëpyetja po sikur dikush të votojë në Gjirokastër dhe më pas të votojë në Janinë.
Nëse do ketë raste të tilla ata njerëz duhet të ndiqen nga prokuroria.
Komisioni që po punon për reformën zgjedhore ka mandat vetëm për zgjedhjet e vitit 2023, jo për 2025.
Komisioni po trajton një sërë çështjesh, por jo ato thelbësore të ngritura nga ODHIR, për abuzimin me burimet shtetërore.
Nuk është e qartë se kush janë synimet e këtij komisioni. Vota e diasporës është jashtëzakonisht e fuqishme.
Të gjitha forcat politike nuk ndihen të sigurta se nuk e kontrollojnë dot votën e emigrantëve.
Edhe nëse në parim mund të jenë dakord, mund të jetë mungesa e dakordësisë për mënyrën konkrete.
Sigurisht që zgjedhjet kushtojnë, por në fund të fundit demokracia kushton, por sa më demokratik të jetë një vend, aq më i madh do të jetë zhvillimi ekonomik.



