Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin me armë zjarri të një ditë më parë ndaj biznesmenit Ardian Gjeloshi, ku mbeti i plagosur ky i fundit dhe i vrarë 70-vjeçari Selman Mihana 70-vjeç, ekonomist pranë kompanisë së përpunimit të inerteve në Gurëz të Kurbinit.
Nga veprimet hetimore të kryera dhe mbledhja e dëshmive në vendin e ngjarjes, rezulton se autorët kanë qenë 4 persona.
Sapo shënjestra e tyre ka hyre në biznesin në pronësi të tij, atentatorët kanë ardhur me një automjet Rang Rover ngjyre e zezë të cilën e kanë ndaluar tek porta hyrëse e kompanisë së inerteve dhe tre prej tyre kanë zbritur nga makina dhe të maskuar dhe të veshur me rroba të zeza janë afruar në këmbë drejt godinës së administratës ku ishte dhe pronari Ardian Gjeloshi.
Sapo janë afruar njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 51-vjeçarit Gjeloshi, por vetëm dy prej tyre e prekën në trup pasi arriti të largohet dhe të hynte në zyrë.
Nën shoqërinë e shënjestrës ishte ekonomisti i firmës Selman Mihana, i cili në tentativë për të mbrojtur pronarin mori disa plumba në pjesë të ndryshme të trupit, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Në momentin e ngjarjes ka pasur dhe punonjës të tjerë brenda kompanisë së inerteve të cilët po shpërndaheshin për të nisur punën dhe kanë shpëtuar për mrekulli.
Pas ngjarjes tre personat e maskuar janë larguar dhe kanë hipur sërish të automjetin fuoristradë Rang Rover, ku po i priste personi i katërt i cili kishte rolin e shoferit.
Sipas dëshmive të punonjësve të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, njëri prej autorëve ka folur në gjuhë të huaj, por nuk kanë arritur ta kuptojnë se çfarë ka thënë.
Ndërkohë përgjatë 24-orëve policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por dëshmia e tyre nuk e ka ndihmuar grupin hetimor në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, pasi në vitin 2002, 51-vjeçari Ardjann Gjeloshi bashkë me të vëllain ishin përfshirë në një ngjarje, nga ku mbeti e vrarë një grua dhe i plagosur një efektiv policie, por në sitë po kalojnë edhe konflikte të tjera që mund të ketë pasur shënjestra e këtij sulmi me armë zjarri.
Atentati me armë zjarri ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të së shtunës, sapo shënjestra kishte hyrë në biznesin e përpunimit të inerteve në pronësi të tij në fshatin Gurëz të Kurbinit, ndërsa referuar dinamikës së ngjarjes mendohet se autoret i kanë ruajtur lëvizjet e tij.



