Në takimin me shqiptarët e Athinës, kryeministri Edi Rama njoftoi se të ardhurat për frymë do të arrijnë 15 mijë euro deri në vitin 2030. Ai gjithashtu theksoi se paga mesatare në sektorin publik është rritur dhe në mandatin e 4 do të arrijë 1000 euro.
Rama ftoi shqiptarët që kanë dyshime për tu kthyer në Shqipëri, duke i siguruar se mundësitë do të jenë më të mëdha se ato që kanë aktualisht.
“Kur ne morëm detyrën, të ardhurat për frymë ishin 3200 euro, sot janë mbi 10 mijë euro dhe në Shqipërinë 2030 do të jetë 15 mijë euro. Paga mesatare ishte 370 euro, në sektorin publik, ku njerëzit punësohen për t’u shërbyer të tjerëve, sot me vitin 2024, të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1000 euro e shikojmë me optimizëm në mandatin e 4.
Ky është lajmi për të gjithë ju dhe ata që kanë filluar ta shohin Shqipërinë si vendin ku mund të kthehen, por ende ngurrojnë për shkak se janë të pasigurtë nëse do të gjejnë aty të paktën atë që kanë këtu, ndërkohë që them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të gjejë aty mundësinë që nesër do të ketë më shumë se këtu.
Paga mesatare asokohe ishte 320 euro, sot paga mesatare e përgjithshme midis shtetit dhe privatit është 830 euro dhe në mandatin e katërt do ta çojmë 1000 euro.”



