
Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë të lirë në zonën Shengen duke nisur nga 1 nëntori i vitit 2023. Ky vendim u mor në takimin e grupit të punës për vizat ndërsa propozimi është hartuar nga presidenca Çeke.
Për këtë çështje analisti nga Kosova, Gazmir Raci, tha për edicionin e lajmeve në MCN tv, se e tëra ishte një padrejtësi ndaj Kosovës, sepse janë plotësuar dyfishi i standardeve të kërkuara nga BE.
E para është fatkeqësi për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të fundit që nuk po e gëzojnë këtë të drejtë, të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shëngen, nuk e di pse ndodhur kjo padrejtësi ndaj neve, edhe pse ne kemi plotësuar dyfishin e standardeve , kemi plotësuar edhe ato standarde në të cilat kanë dështuar edhe shtetet të cilat tashmë e gëzojnë këtë të drejtë.
Por siç duket përfundimisht disa shtete, anëtare të BE, ende patën hezitime, me disa kushte të reja teknike, që për mendimin tim, më shumë ishin kamuflazh, për të mbuluar diçka më shumë.
Kjo është se disa prej këtyre shteteve, këtë çështje teknike, ende e lidhin me progresin me dialogun më Bruksel që po zhvillohet mes Kosovën e Serbisë.
Raci, përgëzoi punën e presidencës çeke, ndërkohë, shprehet i bindur se vendet anëtare të BE, do të mbajnë fjalën e dhënë për liberalizimin e vizave në vitin tjetër.
Çekia luajti një rol shumë të rëndësishëm, luajti rol shumë më shumë sesa disa shtete më të fuqishme, por problemi ishte te Franca dhe një grup i shteteve që mbanin qëndrime të përafërta me Francën,
Tashmë është mirë që ne kemi një datë dhe pres që BE, sidomos këto shtete anëtare, duhet të mbajnë fjalën e fundit të dhënë për Kosovën, dhe duhet të na tregojnë edhe neve për perspektiven që po synojmë të kemi, anëtarësimin në BE, dhe sinjali i parë për ta parë këtë perspektivë është liberalizmi i vizave sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që realisht ti takojmë këtij kontinenti, jo vetëm si pjesë gjeografike por edhe si pjesë e lëvizjes së lirë të zonës Shengen.



