Pak ditë pasi u mbush një vit nga vrasja e Martin Canit, drejtësia shqiptare foli. Por dënimi ndaj autorit të ngjarjes së rëndë nuk ndikoi aspak në shoqëri, që krimet tek të miturit të ndaleshin.
Kur prokuroria kërkoi 25 vite dhe gjykata do të shpallte dënimin, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi shoqërinë.
Sërish protagonist ishte një i mitur. Këtë herë në qytetin e Durrësit. Për konflikte të nisura në rrjetet sociale që u agravuan në shkollë, ngjarja përfundoi me marrjen e jetës me thikë.
Viktimë mbeti i mituri Erion Boba, 15-vjeç, nxënës i vitit të parë në shkollën “Dom Nikoll Kaçori”, ngjarje e ndodhur pasditen e 25 nëntorit 2025, me autor një 14-vjeçar.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg autorin e vrasjes së Martin Canit, ngjarje e ndodhur një vit më parë pranë shkollës “Fan Noli”.
Mario Perlleshaj u shpall fajtor për dy vepra penale: vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë, ndaj Luis Meçajt, i cili mbeti i plagosur. Krimet u kryen më datë 18 nëntor 2024.
Sipas vendimit të gjyqtares Marinela Osmani, Perlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martinit dhe 10 vite burg për tentativën e vrasjes së të miturit tjetër. Në bashkim të dënimeve, Gjykata vendosi 16 vite heqje lirie.
Prokuroria kishte kërkuar 25 vite burg, duke e kualifikuar veprën si vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave. Por për shkak të nenit 97/2 të Kodit Penal, që përcakton se për të miturit nuk mund të jepet më shumë se gjysma e dënimit të parashikuar, u vendos një dënim më i ulët.



