
Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, gazetari Artan Hoxha bëri një përmbledhje të deklaratës së kreut të SPAK, Altin Dumani.
Hoxha tha se deklarata e Dumanit nxori në pah një fenomen të denoncuar shpesh: bashkëpunimin e krimit, biznesit dhe politikës.
SPAK ka një veçanti. Nëse prokuroritë raportojnë të prokurori i përgjithshëm, SPAK raportonte KLP. Prandaj sot atmosfera ishte shumë ekzaltuese. Në raportin që mbajti kreu i SPAK sot ishte së pari, Dumani kërkoi të lirohet nga dosjet e vogla. Së dyti tha që kemi mungesë të policisë gjyqësore. Ne duhet të drejtojmë hetimin dhe të çojmë dosjet në gjykatë, por jemi detyruar të kthehemi në prokurorë që bëjnë vetë procedurat. Ai tha se në krahasim me vitin 2022, institucionet shtetërore e kanë ulur numrin e denoncimeve për korrupsion. Ai specifikoi krimin ekonomik, që duhet të jetë zgjidhja kryesore sot. Aty duhet të përqendrohen investimet në burime njerëzore dhe teknologji. Element tjetër ishte fakti që ka disa hetime që nuk mund t’ia besojmë policisë. Pra institucionet nuk bëjnë denoncime. Pjesën më të madhe të veprimeve në terren i bën policia dhe nëse ajo që thotë Dumani është e vërtetë, kemi një problem shumë të madh.
Për herë të parë një drejtues i lartë i hetimit ngre shqetësimin e përfshirjes së biznesmenëve të fuqishëm me organizata në nivel lokal. Problemi është se ata biznesmenë kanë akses në polici dhe organet e zbatimit të ligjit. Dumani përmendi faktin që një pjesë e këtyre organizatave ndihmohen me informacion pikërisht nga këta biznesmenë. Pra, ai përmendi atë që ne e kemi përmendur: miksimin e botës së krimit, biznesit dhe politikës.



