"Çështja është të kemi një vaksinë të sigurt për amerikanët dhe botën, jo të jemi të parët". Kjo është deklarata e ministrit amerikan të Shëndetësisë, Alex Azar, në një intervistë për ABC kur u pyet për dritën jeshile të Rusisë për vaksinën e parë të koronavirusit.
Rusia njoftoi sot se ka krijuar vaksinën anti-Covid-19 për përdorim të gjerë pas më pak se dy muaj testimi njerëzor.
Kirill Dmitriev, kreu i fondit të pasurisë sovrane RDIF të vendit, tha se vaksina do të tregtohet jashtë vendit nën emrin e markës Sputnik V me marrëveshje ndërkombëtare për të prodhuar 500 milion doza dhe kërkesa për 1 miliard copë nga 20 vende.
Zhvillimi u përshëndet nga Putini si dëshmi e aftësisë shkencore të Rusisë, por testimi i kufizuar ka bërë që disa ta shohin me dyshim efektivitetin dhe sigurinë e saj.
Lidhur me fazën e tretë të testimit, që vaksina ruse e ka shmangur, Azar tha: "Ne kemi nevojë për të dhëna transparente, duhet të jenë të dhënat e fazës 3 që tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive dhe kjo është ajo që Presidenti Trump po udhëheq me Operacionin Warp Speed".



