President i Komitetit Olimpik Fidel Ylli i ftuar në MCN Informacion ka komentuar lidhur me buxhetet e federatave për të cilat tha se aktualisht janë në shifra shumë të vogla 1.5 mln, por që shpreson dhe beson se në buxhetin e ri do të kemi një rritje të tij.
Ai tha se ka sporte shumë specifike siç është mundja të cilit i nevojiten trajner gjithashtu specifik, ndërsa theksoi se sporti shqiptar është në rrugën e duhur, por që duhen shumë investime në këtë fushë.
Po të flasësh me ministrin e financave apo njerëz të qeverisë flasin gjithmonë në nivele makro, por kur flasim në buxhet federatash është shumë i vogël 1.5 mln dhe ky duhet të rritet. Ky është një ngërç i jonë që ja kam përcjell dhe kryeministrit dhe ministrit dhe shpresojmë të na thërrasin në buxhetin e ri dhe të paktën të rritet nga 1.5 në 3 mln.
Nuk them dot që s’ka vullnet politik, vullneti politik i kësaj qeverie s’ka qenë në asnjë qeveri në të gjithë historinë e shtetit shqiptar por duhet dhe pak nxitje dhe presim që në këtë buxhet të kemi rritje.
Qeveria është e gatshme dhe e ka shprehur se është e gatshme që federatat duhet të përgatisin burimet njerëzore. Masivizimi duhet në çdo sport, u bë në futboll dhe volejboll, kurse mundja është sport specifik që ka të bëjë me shtyllën kurrizore, me trama dhe duhen trajner të specializuar për ta bërë në të gjithë Shqipërinë.
Unë jam në suport të federatave që tu rritet buxheti, nëse qeveria do të mendojë për sportet e mira nuk e ka aspak të vështirë ta dyfishojë buxhetin .
Sa i përket basteve ai tha se nga bastet mund të mblidhen rreth 20 mln dollarë në vit një projeksion, janë goxha para, të ardhura dytësore që sporti deri tani nuk i merr, ne themi se ato para do i shërbejnë sportit dhe rinisë që ne të kemi një sport të mirë.
Sporti nuk bëhet vetëm me dëshirë, por kërkon dhe investime dhe para sepse sportistët sakrifikojnë jetën për të. Të jesh në medalje olimpike nuk është pak është një gjë shumë e madhe.
Kam besim se buxheti do të rritet sepse po të dyfishohet bëhet një cikël më i mirë, pastaj vjen dhe ligji i basteve që e përmirëson. Jam skeptik se mendoj se kështu siç është bërë ligji i basteve pa pyetur grupet e interesit janë bërë një listë me vërejtje dhe nuk janë marrë në konsideratë.
Tregu duhet liberalizuar që njerëzit të kenë mundësi të zgjedhin. Mendoj se ka nevojë dhe do detyrohen ta kthejnë dhe njëherë në parlament ligjin e basteve.



