Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë me dije se pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur rëndë Edison Adri, Drejtoria e Standardeve ka nisur një hetim për të verifikuar mungesën e kërkesës për përfshirjen e forcave të specializuara, përfshirë edhe RENEA-n, në operacion.
Hita bëri të ditur se në operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Bracellari morën pjesë rreth 40 efektivë policie, përfshirë edhe forcat “Shqiponja”.
Sipas tij, përpara ndërhyrjes ishte kryer instruktazhi i nevojshëm operacional.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shtoi se arma e përdorur nga autori ka arritur të depërtojë veshjen antiplumb të efektivit.
I pyetur nga gazetarët për persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë që ndodhen në kërkim në juglindje të vendit, Hita deklaroi se ata do të përballen me një përgjigje të fortë nga Policia e Shtetit.



