Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi tha përmes një lidhje “Skype” me studion e “MCN Economy” se nuk sheh rritje të sektorit të fasonerisë dhe manifakturës për shkak të disa arsyeve.
Duke vijuar më tej, Kortoçi tha se shpenzimet kanë ardhur duke u rritur ndërkohë që mbështetja e qeverisë ka qenë vetëm një shtyrje në kohë për pagimin e taksave, por jo një zbritje e tyre apo ndonjë ndihmë tjetër.
Shpenzimet kanë ardhur duke u rritur. Është sektor që vepron me paga minimale, kjo pagë është rritur nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Kemi rritjen e lëndëve të para, rritje të çmimit të pajisjeve. Kjo bën realizimin e produkteve me kosto më të lartë. Nuk ka përmirësim sektori i fasonerisë dhe mbështetja e qeverisë ka qenë mbështetje me një shtyrje në kohë për pagimin e taksave, por jo një zbritje.
Kortoçi tha se sektori i fasonerisë duhet të mbështetet që të ndryshojë dhe t'i përshtatet kërkesave të reja të tregut.
Nëse flasim për një ekonomi shqiptare që duhet të prodhojë të ardhura ky sektor nuk mund të përgjigjet me këto nivele pagash. Është sektor që ka mall të porositur. Fitimi është i kontrolluar. Edhe këto paga, jo se nuk do sektori, por këto janë mundësitë. Pagat duhet të lidhen me produktivitetin që ofrohet.
Pagat janë të ulëta për nivelin e jetesës që kërkohet. Është sektor që do mbështetje të ndryshojë dhe t’i përshtatet kërkesave të reja të tregut . Nuk mund të vazhdojë me të njëjtin proces që kanë zhvilluar në këto 30 vite.



