
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk tërhiqet nga propozimi për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Në një konferencë për mediat sot paradite, Thaçi tha se shpjegoi arsyet e këtij propozimi. Kreu i shtetit të Kosovës tha se në kushtet kur Serbia nuk po bindet të njohë Kosovën, pavarësisht përpjekjeve të të gjitha palëve, kompromisi për korrigjimin e kufijve mund të jetë një zgjidhje
“Marrëveshje mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis. Dikush mund të thotë se Kosova ka bërë kompromise mjaftueshëm, pajtohem.Të tjerë thonë se Serbia duhet ta njohë Kosovën, pajtohem menjëherë plotësisht. Por sot një gjë të tillë Serbia nuk po e bën. Për fat të keq me gjithë përpjekjet maksimale, Serbinë nuk po mund ta bindin ta njohë Kosovën as BE dhe asnjë shtet anëtar i BE veç e veç dhe as SHBA. Dikush mendon se Rusia do të heqë veton për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, as kjo nuk po ndodh dhe as shoh përpjekje që dikush mund ta bindë. Heqja e vetos ruse nga KS nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje Kosovë-Serbi. Për të arritur këtë qëllim kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë”, tha ai.
Thaçi shtoi se korrigjimi i kufirit do t’i hapë Kosovës rrugën europiane, ndërsa shtoi se kjo çështje duhet parë si precedent pozitiv.
"Sa i takon kutisë së Pandorës, këto ditë është folur me pasion. Dua të theksoj se korrigjimi i kufirit, nëse arrihet, mund të përdoret si precedent pozitiv në të ardhmen. Vetëm marrëveshjet paqësore mund gë kenë sukses, koha e luftrave ka mbaruar", tha ai.



