
Kryeministri Albin Kurti sot për herë të parë do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi i së martës është i pari ndërmjet presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti.
Pas këtij takimi është paralajmëruar një konferencë e përbashkët për mediat në orën 12:30.
Kurti thotë se udhëton për në Bruksel, jo për ta vazhduar dialogun, por për të folur për të ardhmen e dialogut, ndërsa, Vuçiq nga ana tjetër insiston se në Bruksel do të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina zyrtare e hedh poshtë.
Agjenda:
Në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell, do të takohet fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Gjithashtu në orën 11:00 është planifikuar një tryezë e përbashkët plenare.
Ndërsa në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.



