Bujqësia edhe pse është një nga prioritetet e qeverisë, në vitin 2022 do të marrë më pak para se në vitin aktual. Sipas të dhënave në relacionin e projektbuxhetit shpenzimet e parashikuara për Ministrinë e Bujqësisë janë 12.736 miliardë lekë në vitin e ardhshëm nga 13,156 miliardë lekë që janë këtë vit.
Kryetari i Shoqatës së Fermerëve, Eduart Sharka në një lidhje Skype për edicionin e lajmeve të MCN TV tha se argumenti se përse buxheti do të jetë më i vogël është se qeveria ia ka deleguar këtë pushtetit vendor.
“Është 2% më i vogël se i 2021-shit. Buxheti është argumentuar duke thënë se investimet për mirëmbajtjen e pyjeve, rrugët rurale qeveria ia ka deleguar pushtetit vendor. Argumenti pse është më i vogël është se një pjesë të fondeve për rrjetin e vaditjes, pyjet, nuk janë më fonde të Ministrisë Bujqësisë por kanë kaluar në nivel lokal”, tha Sharka.
Ministria e Financave gjithashtu ka hartuar projektligjin për ndryshimin e ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku synon heqjen e kompensimit prej 6% për të gjithë prodhuesit bujqësor.
Duke folur për këtë fenomen Sharka tha se paketa fiskale duhej të ishte diskutuar para se të shkonte në parlament. Siç u shpreh ai “nuk mund të thuash do vjel kaq tatim fitimi pa parë më parë normat”. Sharka theksoi se fermerët kërkojnë skemë subvencioni direkte pasi sipas tyre do të sillte më shumë efekte pozitive.
“Unë doja të vija në dukje një fenomen. Është e papranueshme që shkon paketa fiskale në parlament, duhet të diskutohej më parë. Nuk mund të thuash do vjel kaq tatim fitimi pa parë më parë normat. Termi kompensim si skemë dhe si proces ka qenë antikushtetues. Kompensimi nga 2019-ta është 6%. Ne kërkojmë një skemë subvencioni direkte sepse sipas nesh kjo do të sillte shumë efekt pozitiv. Rrit interesin për fermerin që të punësojë. Defekti i paketës fiskale nuk ka treguar qartësi. Kemi rënie të numrit të bagëtive dy vitet e fundit. Merret qumësht i pasterizuar me autobote në vendet e rajonit. Ne nuk e dimë, strategjia e qeverisë thotë që sektori i bujqësisë është nivel prioritar dhe duhet një strategji sepse do hamë qumësht pluhur. Nëse është i standardeve europiane s’ka asgjë të keqe. Konsumi nxitet duke ulur TVSH, ne e kemi 20, Italia e ka 6, duket logjikë që nuk është ndihmuese”, shtoi ai.



