Falë kontratave të nënshkruara në muajt e fundit, BE do ketë nga 20 deri në 50 milionë doza vaksinash në muaj duke filluar nga prilli. Presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dha një detaj të tillë gjatë konferencës për shtyp, në të cilën prezantoi planin e ri të koordinimit të BE për të luftuar valën e dytë të pandemisë. "Në skenarin më të mirë - shpjegoi Von der Leyen - BE do të jetë në gjendje të vaksinojë deri në 700 milion njerëz", duke pasur kështu edhe mundësinë të "ndihmojë me donacione vendet më në nevojë".
“Situata Covid-19 është shumë serioze. Ne duhet të intensifikojmë përgjigjen tonë të BE", shtoi ajo. “Sot ne po fillojmë masa të mëtejshme në luftën tonë kundër virusit; nga rritja e aksesit në teste të shpejta dhe përgatitja e fushatave të vaksinimit për të lehtësuar udhëtimin e sigurt kur është e nevojshme. Unë i nxis shtetet anëtare të bashkëpunojnë ngushtë. Masat e guximshme të marra tani do të ndihmojnë në shpëtimin e jetës. Asnjë shtet anëtar nuk do të dalë në mënyrë të sigurt nga kjo pandemi derisa të dalin të gjithë. Kjo është vala e dytë, asnjë vend nuk kursehet dhe ka një "lodhje pandemike"».
Vetëm javën e kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Evropë ishte 1.1 milion. Dhe ndërsa sa më shumë njerëz infektohen, aq më shumë shtrohen edhe në spital. Në këto kushte, Von der Leyen thotë se ndërsa pritet rritja e mëtejshme e shifrave në dy ose tre javët e ardhshme, "ne nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e vaksinave".



