
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar këtë pasdite programin për artin, kulturën dhe trashëgiminë, prej ku iu premtoi artistëve ringritjen e Teatrit Kombëtar, siç ishte dhe aty ku ishte.
Përballë artistëve, kryedemokrati u shpreh se “Natyrisht, të flasësh pas jush është edhe një sfidë e madhe. Shumë u tha në këtë sheh sot dhe mua nuk më ka mbetur gjë tjetër veçse të nënvizoj edhe një herë qartë dhe prerë atë që më kërkuat në fund të fjalës tuaj: vullnetin e palëkundur, timin dhe të qeverisë së ardhshme, për të bërë realitet të gjitha zotimet tona”.
Më tej Basha tha se do t'i qëndrojë nënshkrimit të tij për ndërtimin e godinës së Teatrit siç ka qenë, duke shtuar se pavarësisht se nuk shquhet për tone të forta, "çfarë kam nënshkruar e kam bërë realitet".
“Ata që e shembën bëjnë gabimin e jetës së tyre nëse mendojnë se beteja mbarojë, bëjnë gabimin e jetës së tyre nëse nënvlerësojnë nënshkrimin tim. Unë nuk shquhem për tone të forta, as për metafora agresive, por çfarë kam nënshkruar e kam bërë realitet dhe po ju them sot se ky simbol nuk do të jetë thjesht një ngacmues i emocionit të dhimbjes për natën e errët të 17 majit, por kujtuesi i përditshëm deri sa Teatri të ringrihet siç ishte, aty ku ishte”, tha Basha.
Ai shtoi po ashtu se do të çojë para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë "në atë krim". "Atyre që u vërsulën mbi këtë vepër, i them se nënshkrimi im nuk parashikon vetën ringritjen e Teatrit, por çuarjen para drejtësisë të gjithë atyre që morën pjesë në atë krim, nga urdhëruesit te zbatuesit do japin përgjigje para ligjit", shtoi ai.



