Mali i Zi do t'i japë fund regjimit pa viza për qytetarët rusë, të cilët duke nisur nga 1 tetori do të duhet të pajisen me vizë për të hyrë në vend.
Sipas medias malazeze ‘DAN’, masa do të zbatohet edhe për shtetasit e Bjellorusisë dhe Perusë, të cilët gjithashtu nuk do të mund të hyjnë më pa vizë.
Vendimi i jep fund një periudhe gati 18-vjeçare të lëvizjes pa viza mes Rusisë dhe Malit të Zi.
Gjatë kësaj kohe, turistët rusë kanë përbërë një pjesë të rëndësishme të sektorit turistik malazez, duke e kthyer vendin në një nga destinacionet e tyre më të preferuara në Ballkan.
Autoritetet malazeze e kanë marrë këtë vendim në kuadër të harmonizimit të politikës së vizave me standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të integrimit evropian.
Me hyrjen në fuqi të rregullave të reja, qytetarët rusë do të duhet të ndjekin procedurat për pajisjen me vizë përpara se të udhëtojnë drejt Malit të Zi.
Heqja e regjimit pa viza shënon gjithashtu mbylljen e një prej mundësive më të lehta për hyrjen e qytetarëve rusë në Evropë, pasi Mali i Zi kishte mbetur për një kohë të gjatë ndër destinacionet evropiane me më pak kufizime për ta.



