
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Thaçi e nis reagimin e tij në rrjetet sociale me keqardhjen për thirrjen e ish-eprorëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
"Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së”, thotë Thaçi.
Ndërkohë, në lidhje me dorëheqjen e Haradinajt, ai thotë se e respekton vendimin e Haradinajt dhe do të veprojë në mënyrë transparente në lidhje me hapat që do të ndiqen pas kësaj.
“Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veproj bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund t’i cenojë askush! HTH", ka shkruar Thaçi.



