
Një kontroll i befasishëm në Burgu i Reçit ka çuar në zbulimin e një sërë sendesh dhe materialesh të ndaluara brenda ambienteve të institucionit.
Janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektrike, tela të improvizuar, mjete prerëse dhe sende të tjera të dyshimta, si dhe shishe me lëngje të paidentifikuar.
Po ashtu, janë gjetur edhe elementë që mund të shërbejnë për modifikime artizanale të pajisjeve elektrike.
Materialet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur se si këto sende janë futur brenda institucionit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Ndërkohë, pritet që ndaj personave të implikuar të merren masa disiplinore dhe ligjore.
Aksion kontrolli në IEVP Shkodër
Në vijim të kontrolleve të befasishme për rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare, u ushtrua një kontroll në IEVP Shkodër. Në zbatim të Urdhrit Nr. 626, datë 07.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Z. Adriatik Kupi, dhe nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, Forcat Operacionale dhe Forcat Speciale të D.P. Burgjeve ushtruan kontroll për sende të ndaluara në dhomat e banimit dhe ambientet e përbashkëta.
Gjatë kontrollit u verifikuan 38 dhoma.
Në dhomën nr. 9, Godina 1, që i përket të dënuarve me iniciale R.M dhe E.H, është konstatuar 1 cigare e dëmtuar e hedhur në lavaman, e dyshuar si lëndë narkotike. Të dy të dënuarit janë veçuar, është hartuar raport incidenti dhe janë njoftuar strukturat përkatëse, përfshirë Sherbimin e Kontrollit te Brendshem ne Sistemin e Burgjeve, për vijimin e procedurave. Gjatë kontrollit janë nxjerrë si sende të tepërta dhe për rikontroll 2 televizorë, si dhe janë konstatuar dhe sekuestruar objekte të tjera të ndaluara. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vijojë kontrollet e befasishme në të gjitha IEVP-të, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.



