Protesta e 4 korrikut, Tafaj: Duhet të intensifikohet. Meti: Mbi 30 mijë shqiptarë të diasporës do të kthehen (VIDEO)

Protesta e 4 korrikut, Tafaj: Duhet të intensifikohet. Meti: Mbi 30 mijë shqiptarë të diasporës do të kthehen (VIDEO)

Një muaj pas nisjes së protestës kundër investimeve strategjike në zonat e mbrojtura, lëvizja qytetare është shndërruar në një kauzë me kërkesa politike, që synojnë largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës politike. 

 

Një nga elementët më të spikatur të protestave ka qenë angazhimi i diasporës shqiptare, e cila po organizohet për një pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar për më 4 korrik.

 

I ftuar në MCN Informacion, anëtari i Kryesisë së CDU-së në Gjermani, Petrit Tafaj, tha se protesta duhet të vijojë dhe të intensifikohet, pasi sipas tij vetëm presioni qytetar paqësor mund të sjellë ndryshime.

 

Rinia ka qenë pjesa më aktive e kësaj lëvizjeje, së bashku me diasporën. Protestat që vazhdojnë dhe ringjallen janë një mundësi që rrallë na vjen në dorë. E shoh si një zhvillim pozitiv, por edhe me njëfarë shqetësimi, sepse kemi të bëjmë me një qeveri që është instaluar fort dhe nuk lëviz lehtë. Mund të jetë një luftë e gjatë nervash, por jam i bindur se protesta duhet të vazhdojë. Presioni i qytetarëve, në mënyrë të qytetëruar dhe paqësore, është rruga më e drejtë për të arritur qëllimin dhe njëkohësisht për të treguar se shqiptarët dinë të protestojnë në mënyrë demokratike.

 

Sipas tij, Shqipëria mbetet ende larg standardeve europiane, ndërsa kultura e dorëheqjes politike mungon.

 

Protesta duhet të intensifikohet. E shoh me skepticizëm mundësinë që qeveria të japë dorëheqjen, sepse jemi shumë larg standardeve europiane. Për këtë mban përgjegjësi politika e vjetër. Qeveria shqiptare është larg kulturës së përgjegjësisë politike dhe po humbet gjithnjë e më shumë besimin. Unë vij pa paragjykime dhe me qëllimin e vetëm për të ndihmuar vendin tim. Duke qenë se protesta zhvillohet të shtunën, më 4 korrik, kam mundësinë të jem i pranishëm. Shqipëria ka shumë gjasa të mos arrijë objektivin për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, sepse hendeku mes premtimeve dhe realitetit mbetet i madh, ndërsa edhe parlamentet europiane janë skeptike.

 

Edhe përfaqësuesi i diasporës shqiptare në Londër, Bledar Meti, bëri të ditur se organizimet për protestën e 4 korrikut kanë nisur prej javësh dhe se pjesëmarrja pritet të jetë shumë më e madhe se në tubimin e parë.

 

Ne, së bashku me kryesinë në Britani, kemi punuar për të riorganizuar diasporën shqiptare. Autokolona është vetëm pjesa simbolike e këtij organizimi. Shqiptarët do të kthehen edhe me avionë, edhe me tragete, madje pjesa më e madhe do të vijë me linja ajrore. Autokolona është një mesazh për qytetarët dhe për qeverinë se diaspora është në krah të tyre dhe nuk e ka harruar Shqipërinë.

 

Ai theksoi se lidhja e diasporës me vendin nuk është shkëputur asnjëherë, pasi familjet dhe kontributi ekonomik i shqiptarëve jashtë vendit mbeten të rëndësishme.

 

Prej 36 vitesh diaspora ka mbështetur ekonominë shqiptare përmes remitancave. Ne jetojmë jashtë, por familjet tona janë në Shqipëri. Kur shohim se sistemi shëndetësor nuk funksionon, se qytetarët nuk marrin shërbimet që meritojnë apo se standardet janë larg atyre europiane, kjo na prek drejtpërdrejt edhe ne. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj zhvillimeve në vendin tonë.

 

Meti solli edhe shembullin e emigrantëve polakë në Britani, të cilët, sipas tij, u rikthyen në vendlindje pasi Polonia u zhvillua ekonomikisht.

 

Kur mbërrita në Britani para 26 vitesh, polakët ishin mbi një milion. Sot shumica janë kthyer në Poloni, sepse vendi i tyre u zhvillua. Pse të mos ndodhë e njëjta gjë edhe me shqiptarët? Në diasporë kemi sipërmarrës, juristë, ekonomistë, drejtues kompanish dhe profesionistë të suksesshëm. Kjo përvojë duhet t'i shërbejë Shqipërisë. Pjesa më vitale e shoqërisë është larguar dhe është koha të krijohen kushtet që ajo të rikthehet për të kontribuar", deklaroi ai.

 

Sipas Metit, pritshmëritë për protestën e 4 korrikut janë shumë më të larta se në organizimin e parë.

 

Besoj se pjesëmarrja do të jetë dy deri në tre herë më e madhe se më 20 qershor. Mbështetja dhe emocionet që morëm nga qytetarët në Shqipëri na kanë motivuar edhe më shumë. Ata e konsiderojnë diasporën një pjesë të rëndësishme të kësaj lëvizjeje. Besoj se mbi 30 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kthehen në Shqipëri për të marrë pjesë në protestë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy