Pogradeci regjistron viktimën e katërt përsa u përket xhihadistëve që kanë shkuar në luftën e përgjakshme të Sirisë, pasi një 20-vjeçar ka mbetur i vrarë. Burime tepër të besueshme nga Antiterrori thanë për TemATV se Besmir Çake, 20 vjeç, lindur në fshatin Guras (Zakorçan) të Pogradecit, është vrarë në luftën e Sirisë. Ditën e shtunë familjarët e tij morën një telefonatë nga Siria, ku u lajmëruan se Besmiri kishte ndërruar jetë. Ende nuk dihen rrethanat sesi ai ka humbur jetën, por është fakt që 20-vjeçari është larguar drejt Sirisë më 28 janar të vitit 2013, bashkë me Mariglen Dervishllarin, nga fshati Rëmenj i Pogradecit, i cili gjithashtu është vrarë.
Në këtë udhëtim është bashkuar edhe Bledar Hamzai, nga Tirana, i cili ka mbetur i vrarë gjithashtu dhe Hamit Muslia, një tjetër viktimë shqiptare e luftës së përgjakshme. Pogradecari tjetër që është vrarë në Siri është Dorian Kuqo, ndërsa më i njohuri nga kjo zonë ishte imami i vetëshpallur që kërcënoi të gjithë shqiptarët se do të vinin ditë të zeza, Almir Daci, nga fshati Leshnicë. Deri më tani, zyrtarisht numri i shqiptarëve të vrarë në Siri e kalon shifrën 15. Në fshatin Guras, prej nga ishte edhe Besmiri, është arrestuar së fundmi Ervin Duka, të cilit iu gjetën disa kallëpë tritol në banesë.
Në Shkdoër janë arrestuar 4 persona, 2 prej të cilëve pranuan se do ta hapnin zjarr dhe do të shpërthenin tritol kur të luante kombëtarja izraelite e futbollit. Kurse Apeli i Krimeve të Rënda ka dhënë mbi 100 vjet burg për 9 të akuzuarit për mbështjetje të terrorizmit.



