Ndihmëssekretari amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, i ka konsideruar si provokuese veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Policia e Kosovës mbylli pesë komuna paralele serbe në Veri.
Ne një mesazh në platformën “X” ai i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që të koordinohet me ndërkombëtarët.
O’Brien ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.
“Siç e bënë të qartë deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës... I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.



