
Rusia vazhdoi sulmet intensive në Kiev dhe pjesë të tjera të Ukrainës në ditën e parë të Vitit të Ri, pas një breshërie raketash të lëshuara të shtunën, me sirenat e sulmit ajror që nuk u ndalën gjatë gjithë natës.
Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës tha se ata kishin shkatërruar 45 drone Shahed të prodhuar nga Irani, 32 prej tyre të shunën vonë dhe në të gdhirë të së dielës.
Presidenti rus Vladimir Putin në fjalimin e mbajtur dje sinjalizoi se lufta, tashmë në muajin e saj të 11-të, do të vazhdojë.
Ndërsa sirenat u ndezën për më shumë se 4 orë në Kiev, disa njerëz bërtisnin nga ballkonet e tyre, "Lavdi Ukrainës! Lavdi heronjve!", raporton "Reuters".
Komanda e lartë e Ukrainës tha të dielën se Rusia kishte nisur 31 raketa dhe 12 sulme ajrore në të gjithë vendin në 24 orët e mëparshme.
Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë Bridget Brink shkroi në Twitter: "Rusia e sulmoi me ftohtësi dhe frikacakë Ukrainën në orët e para të vitit të ri. Por Putini ende nuk duket se e kupton se ukrainasit janë prej hekuri".
Andrii Nebytov, shefi i policisë së Kievit, postoi një foto në aplikacionin e tij të mesazheve Telegram, që dyshohet se tregon një pjesë droni të përdorur në sulmin në kryeqytet me një shenjë të shkruar me dorë në rusisht duke thënë "Gëzuar Vitin e Ri".



