Autoritetet britanike kanë vënë në pranga tre persona për trafik të qenieve njerëzore, pasi një anije me 69 shtetas shqiptarë u kap pranë bregdetit të Suffolk. Agjencitë e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar kanë njoftuar se në total u arrestuan 72 personat, në bordin e një anije peshkimi 30 metra të gjatë që lundronte nga zona Ostend e Belgjikës.
Anija u kap orët e vona të së martës, pranë Great Yarmouth ndërsa mëngjesin e të mërkurës u ankorua në portin Harëich. Tre anëtarë të ekuipazhit, një shtetas letonez dhe dy shtetas ukrainas, u arrestuan nën dyshimin për lehtësimin e imigracionit të paligjshëm dhe do të intervistohen nga hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).
Të 69 migrantët u arrestuan gjithashtu dhe do të hetohen nën dyshimin e hyrjes ilegale në Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se 250 oficerë nga NCA, Policia e Essexit, Zbatimi i Imigracionit dhe Forca Kufitare u përfshinë në marrjen nën kontroll të anijes dhe nxjerrjen e saj në breg.
Komandanti Dan O’Mahoney është shprehur: “Falë punës së koordinuar midis partnerëve tanë brenda dhe jashtë vendit ne ishim në gjendje të kapnim shpejt anijen dhe një hetim penal tani është duke u zhvilluar lidhur me këtë rast”.
Zëvendës Drejtori i Hetimeve të NCA, Craig Naylor tha: “Hetimi ynë për këtë përpjekje vazhdon dhe unë do të doja të falënderoja partnerët tanë në Essex Police, Forca Kufitare dhe Zbatimi i Imigracionit për gjithçka që bënë natën e kaluar dhe punën e tyre të vazhdueshme në mbështetje të hetimi shkon përpara.



