Politologu Ilir Kalemaj, bonusin e njoftuar nga Kryeministri Edi Rama ku pensionistët me pension deri në 200 mijë lekë të vjetra, do të marrin bonus për fundvit 150 euro dhe të tjerët që marrin mbi 200 mijë, 100 euro, e cilëson si lëmoshë.
Duke folur për MCN Live, ai tha se kryeministri pasi i ra dajres dy muaj, për t’iu thënë pensionistëve se do të ketë indeksim, nuk bëri rritje pensionesh, duke kujtuar nga ana tjetër se kur Partia Demokratike ishte në pushtet, i dyfishoi ato.
Në Shqipëri pensioni mesatar i atyre që kanë pension të plotë afro gjysma, është 170 euro, në Kosovë 340 euro, në Malin e Zi 450 euro, një mesatare thuajse dyfishi sa është në Shqipëri për vendet e rajonit.
U tha se do bëhej indeksim, por nuk ka vend për indeksim. Është katërfishuar kostoja e gjelit, dikur merrnin një gjel e gjysmë, tani nuk marrin dot asnjë gjel të plotë me bonusin.
Bonusi jepet vetëm një herë, ndërkohë që PD ua dyfishoi pensionin, kategorisë që për fat të keq voton për mazhorancën.
Këta janë nën minimumin jetik, me çfarë jetojnë me ajër? Se gjysmat iu shkojnë për ilaçet. Ata rrojnë prej remitancave.
Por euro ka humbur 1/3 e vlerës. Zoti Rama është trembur nga protesta e pensionistëve se thotë një pjesë do votojnë për PD, dhe për radikalët e majtë, dhe është vënë në urgjencë për këtë bonusin e ri.
Mund t’iu japë ndonjë lëmoshë prapë në prill se aq është fondi i parashikuar për këtë gjë.
Ndërsa për bujqësinë, Kalemaj tha se Shqipëria ka dështuar së krijuari një sektor ushqimor bio.



